Ngjarja që ndodhi dy ditë më parë në kampin MEK, ku forca të shumta policie mësynë kampin ku janë vendosur një grup i madh muxhahedinësh bëri bujë në media. Sipas deklaratës së Rrumbullakut aksioni ka qenë me vendim gjykate dhe siç u pa në pamje, muxhahedinët i kanë bërë rezistencë kësaj.
Olsi Jazexhiu, është shprehur që vendosja e tyre në Shqipëri, është bërë nga të dy kryeministrat (Berisha në fillim dhe më pas Rama) sikur Shqipëria të ishte çifligu i tyre, pra nuk kanë hapur asnjë referendum që të pyeteshin qytetarët shqiptarë, por u janë bindur SHBA-ve.
Jazexhiu ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë cilësuar fillimisht këtë grup, si një organizatë terroriste dhe siç pretendon ai, SHBA, shikon interesin e saj, prandaj kur i është dashur kjo organizatë e hoqën nga lista e organizatave terroriste dhe meqë i duhej një vend, i sollën në Shqipëri, ka thënë Jazexhiu.
Olsi Jazexhiu: SHBA kanë një histori të gjatë të trajtimit të grupeve diversante terroriste, të cilat i kanë përdorur kur kanë pasur interes dhe kur nuk u janë dashur i kanë goditur. Kjo ndodhi me muxhahedinët, një organizatë terroriste që prej viteve 60′.
Amerikanët i kanë konsideruar si organizatë terroriste deri në 2008. Kur panë se i nevojiteshin me luftën ndaj Iranit, i nxorën nga lista.
Duke mos pasur mundësinë të qëndrojnë në Irak, i sollën në Shqipëri.
Amerikanët e dinin se çfarë bënin muxhahedinët, por i kanë toleruar sipas skemës “armiku i armikut tim, është miku im”.
Është politikë personale e kryeministrave tanë, pasi e kanë trajtuar Shqipërinë si ta kenë çifligun e tyre, pa pyetur qytetarët shqiptarë.
Nuk kanë treguar asnjë dokument që të përmbajë të dhëna për ta.
Në intervistën e dhënë në FaxNews në emisionin “Me Xhaxhiun”, Jazexhiu tregon se u ka shkruar një vit më parë një letër të hapur Presidentit dhe Kryeministrit ku kërkonte statusin e muxhahedinëve, e ndonëse nuk ka marrë asnjë përgjigje, pretendon se kampi MEK para dy ditësh u sulmua po me ato akuza të bërë në letrën e hapur që ka dërguar së bashku me Gjergji Thanasin.
Vjet i kam çuar një letër të hapur Presidentit, Kryeministrit, së bashku me Gjergji Thanasin, i bënim pyetje shtetit shqiptar mbi statusin e muxhahedinëve.
Në atë letër, i përkujtoja nenet e kodit penal që ndalojnë aktivitetin luftarak dhe terrorist.
Nuk mora asnjë përgjigje, sepse amerikanëve u interesonin muxhahedinët, përpara tre ditësh prokurori Vladimir Mara përsëriti akuzat që unë kam bërë para një viti dhe me ato akuza u sulmua kampi.