TIRANË, 9 prill/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal të regjistruar mbi bazën e materialit referues të dërguar nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore, Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga Kodi Penal.
Nga ky hetim u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se personi nën hetim S. C., me detyrë oficer i policisë gjyqësore, ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga Kodi Penal.
Konkretisht, zyrtari i policisë gjyqësore, i hetuari S. C., duke ushtruar presion ndaj të arrestuarit E. K., i ka kërkuar këtij të fundit shumën prej 2000 euro në këmbim të lënies të lirë, duke i thënë se do ta gjente kudo që të ishte nëse nuk e sillte këtë shumë.
I hetuari E.K., ka vënë në dijeni menjëherë të atin, të hetuarin F. K., i cili nëpërmjet njohjeve të tij, pasi ka siguruar shumën prej 235.000 lekësh, ja kanë dhënë të hetuarit S. C. rreth orës 17.30-20.00 të datës 10 tetor 2022. Me veprimet e tyre shtetasit E. K. dhe F. K. dyshohet të kenë konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg për shtetasin S. C., i dyshuar për veprën penale “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga Kodi Penal.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Tiranë, ekzekutoi sot masën e sigurimit të caktuar me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar./m.m/