Policia e Tiranës prangosi ditën e djeshme 8 persona, shpalli në kërkim 2 të tjerë si dhe procedoi një sekser të bashkisë së Tiranës me një qytetar për korrupsion për ndërtimin e varrezave, abuzimeve me lejet e ndërtimeve dhe certifikatën e vaksinimit për COVID-19. Operacioni “Tufina” arrestoi këta persona: Elidior Ndini, 32 vjeç (Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Tiranës); Xhemal Mena, 61 vjeç (punëtor në varrezat e Tufinës); Latif Shehu, 63 vjeç (punëtor në varrezat e Tufinës); Gazment Daja, 49 vjeç (punëtor në varrezat e Tufinës); Bujar Lica, 66 vjeç (sekser); Alban Ajazi, 28 vjeç (sekser); Endrin Milla, 37 vjeç (sekser) dhe Fatjon Gjonaj, 24 vjeç. Nga ana tjetër, në gjendje të lirë po hetohen Roza Ndoj, 44 vjeçe dhe Julian Çukaj për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në kërkim janë sekseri Shaqir Nikaj dhe Fabjon Gjonaj. Operacioni u realizua nëpërmjet bashkëpunimit Seksionit të Luftës Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë së Tiranës. 12 personat e sipërpërmendur përgjoheshin dhe vëzhgoheshin prej kohësh nga uniformat blu.
400 € ryshfete për varrezat, 1700 € për leje ndërtimi dhe 300 € për certifikata COVID-19
Në njoftimin e Policisë së Tiranës, raportohet se drejtuesi e punonjësit e bashkisë së kryeqytetit kanë përfituar shuma nga 30-50 mijë lekë të reja (200 € – 400 €) për t’u mundësuar disa qytetarëve ngritjen e varrezave për disa familjarë të vdekur në zonën e Tufinës. Abuzime janë konstatuar dhe për dhënien e lejeve të ndërtimit e rindërtimit të banesave të dëmtuara ose të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në këtë rast, zyrtarët e bashkisë së Tiranës përfitonin ryshfet deri në 200 mijë lekë të reja (1700 €). Në vazhdim të raportimit të operacionit “Tufina”, bëhet me dije se ka patur shkelje edhe për pajisjen e disa qytetarëve me certifikata vaksinimi për COVID-19 ku janë ofruar 30 mijë lekë të reja (200 €). Po ashtu shkelje janë vërtetuar dhe për garantimin e kredive të buta.
Veprat penale për secilin prej 12 personave
Lidhur me abuzimet e sipërpërmendura, Prokuroria e Tiranë ka ngritur këto vepra penale për 8 të arrestuarit, 2 të proceduarit dhe 2 të tjerët të shpallur në kërkim: drejtori i ASHF Tiranë Elidior Ndini për “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”; punëtorët në varrezat e Tufinës, Xhemal Mena dhe Latif Shehu për “Shpërdorim detyre”, punëtori i tretë Gazment Daja për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, sekseri Bujar Lica për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; sekserët Alban Ajazi dhe Endrin Milla për “”Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”; qytetari Fatjon Gjonaj për “Ndërtimi i paligjshëm” (të 8 të arrestuar); Roza Ndoj dhe Julian Çukaj për “Shpërdorimit të detyrës” (në procedim penal) dhe 2 personat e shpallur në kërkim sekseri Shaqir Nika me shtetasin Gjonaj (ky i fundit për ndërtim pa leje).