Policia e Shtetit këtë mëngjes të 20 qershorit po ekzekuton një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Tiranës në ambientet e kampit MEK në Manzë të Durrësit.
Burime të brendshme bëjnë me dije për Albanian Post se kontrolli vjen në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike – pasi ka pasur dyshime se kampi ka qenë një qendër për sulme të tilla.
Në zbatim të këtij urdhri kontrolli të lëshuar nga gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin dhe në këto momente janë brenda kampit.
Po ashtu pritet që Policia të dalë me një deklaratë për mediat.
Kontrolli vjen vetëm disa ditë pasi presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mblodhi Këshillin e Sigurimit, ku i diskutua për sulmet kibernetike.
Sipas tij, sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend.
Kujtojmë se Shqipëria u ndodh vitin e kaluar nën sulme të rënda kibernetike, që prekën edhe sistemin TIMS. Qeveria shqiptare asokohe tha se pas sulmeve fshihet Republika Islamike e Iranit dhe shkëputi marrëdhëniet diplomatike me të.
Po ashtu vlen të theksohet se disa ish-anëtarë të MEK-ut në Shqipëri janë hetuar nga Gjykata me akuzat e terrorizmit.
Çfarë përfaqësojnë muxhahedinët?
Muxhahedinët iranianë, të quajtur ndryshe “opozita iraniane” ndodhen prej kohësh në emigrim.
Lëvizja e tyre është themeluar në vitin 1965 dhe përfaqësojnë një miks ideologjie marksiste dhe islamiste.
Që në fillimet e tyre e deri në vitin 1970, ata kanë qenë në opozitë me ish-liderin e Iranit, Mohammad Reza Shah.
Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Khomeini.
Ata u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre dhe u larguan nga Irani.
Muxhahedinët u vendosën në Irak në kulmin e luftës me Iranin, duke luftuar përkrah trupave të Sadam Huseinit.
Pas rrëzimit të Sadamit në 2003, muxhahedinët u çarmatosën zyrtarisht dhe u rigrupuan më pas në një kamp në Ashraf, pranë kufirit iranian me Irakun dhe më pas u zhvendosën në Shqipëri.
Pas vendimit të SHBA-ve në vitin 2003 për pushtimin e Irakut, siguria e tyre u vendos në pikëpyetje.
Kështu me një ndërmjetësim të amerikanëve dhe OKB-së u vendos që ata të zhvendoseshin në një vend tjetër, që ishte Shqipëria.